Shkeljet e ligjit penal mund të ndëshkohen me një dënim me burg ose – në rastin e krimeve më pak të rënda – edhe me një dënim me para. Çfarë është një krim, përcaktohet nga ligji (në Kodin Penal, por edhe në disa ligje të veçanta siç është ligji për substancat narkotike).
Si zhvillohet procedura për dënime me para?
Fillimisht Policia është përgjegjëse për ndjekjen e krimeve; por vendimin për një dënim e merr gjithmonë një gjykatë në kërkesë të prokurorisë. Prokuroria ose gjykata duhet t‘ju japin mundësinë para vendimit për të dhënë një koment në lidhje me akuzën. Nëse duhet të dënoheni me një dënim me para, shpesh nuk zhvillohet një seancë gjyqësore në ndërtesën e gjykatës, por e gjithë procedura kryhet me shkrim. Vendimi në këtë procedurë me shkrim quhet „Urdhër dënimi“.
Si llogaritet një dënim me para?
Dënimi me para nuk caktohet si një shumë fikse, por në bazë të numrit të ditëve të dënimit. Masa e dënimit është nga minimumi 5 deri në maksimum 360 norma ditore (ose deri në maksimum 720 norma ditore, nëse krijohet një dënim total nga disa dënime të më parshme).
Shuma e një norme ditore varion nga minimumi 1 € deri në maksimum 30.000 €. Kjo llogaritet sipas të ardhurave të pastërta (pas zbritjes së ushqimit, shpenzimeve të transportit për në punë, etj.) që keni arritur mesatarisht në momentin e shpalljes së vendimit (1 rrogë neto mujore = 30 norma ditore). Nëse gjykatës nuk i ofrohet informacion për këtë, të ardhurat tuaja do të vlerësohen.
Ja si llogaritet shuma e dënimit me të holla/para: Numri i normës ditore x shuma e një norme ditore
A mund të bëni ankesë ndaj një urdhri dënimi?
Urdhër dënimi do t‘ju dërgohet zyrtarisht (në një zarf të verdhë). Ju keni 2 javë nga dita kur urdhri dënimi është hedhur në kutinë tuaj postare (data është e shënuar në zarf) për të bërë ankesë ose ankesë të pjesshme ndaj urdhër dënimit. Kjo është e dobishme në dy raste:
- Nëse nuk e keni kryer krimin (në këtë rast duhet të kërkoni këshillë nga një avokat).
- Nëse norma ditore është shumë e lartë, sepse gjykata i ka vlerësuar gabimisht të ardhurat tuaja. Nëse bëni ankesë të pjesshme dhe vërtetoni që të ardhurat tuaja të vërteta ose shpenzimet e nevojshme (p.sh. pensioni ushqimor i fëmijës, shpenzime shtesë për shkak të sëmundjeve), lartësia e normës ditore do të korrigjohet, kështu që shuma e dënimit do të zvogëlohet.
E rëndësishme: Respektoni me kujdes afatin për ankesën/ankesën e pjesshme. Më vonë mund të bëni ankesë vetëm nëse mund të vërtetoni se e keni humbur afatin pa fajin tuaj.
Çfarë mund të bëni nëse nuk mund të paguani dënimin me para?
Dënimi me para nuk mund të hiqet përmes një procedure falimentimi.
Pasi bëhet fjalë për një ndëshkim, dënimi me para mund të pezullohet vetëm në raste shumë të veçanta përmes kërkesës për provë nga prokuroria.
Arka e gjykatës/Prokuroria do t‘ju kërkojë të paguani dënimin në një shumë të plotë. Nëse nuk jeni në gjendje ta bëni këtë, mund të bëni një aplikim për pagesë me këste ose për shtyrje të pagesës (shtyrje). Për këtë nuk llogariten interesa. Megjithatë, duhet të justifikoni të gjitha kërkesat dhe të mund të vërtetoni informacionet e dhëna.
Alternativa: Kthimi në orë pune
Nëse nuk mund të paguani dënimin me para për një kohë të gjatë, është e mundur ta ktheni atë në „punë bamirësie“. Për këtë, duhet të bëni një kërkesë. Për çdo ditë të normës ditore, zakonisht duhet të kryeni 6 orë pune pa pagesë në një organizatë sociale ose komunale. Numri i orëve mund të ulet nëse ka arsye të veçanta (p.sh., nëse keni një vend pune me kohë të plotë dhe orët e punës duhet t‘ i kryeni në mbrëmje ose gjatë fundjavës).
Çfarë rrezikoj nëse nuk bëj asgjë?
Nëse merrni një letër nga Prokuroria ose nga gjykata, duhet të reagoni patjetër dhe të shpjegoni situatën tuaj. Përndryshe, në një moment do të urdhërohet që të shkoni në burg për shkak të dënimit me para dhe të „kryeni“ dënimin (dënimi me burg në vend të pagesës). Për çdo 2 ditë dënimi me para, duhet të qëndroni 1 ditë në burg.
A do të konsideroheni si të paradënuar nëse merrni një dënim me para?
Një dënim me para regjistrohet në certifikatën tuaj të krimeve vetëm nëse tejkalon 90 norma ditore. Megjithatë, nëse dënoheni me një dënim tjetër me para, të gjitha dënimet do të regjistrohen në certifikatën tuaj të krimeve, edhe nëse shuma e ditëve të dënimit është më pak se 91.
zurück zur Übersicht |Kthehu në përmbledhje